Lajme

Berisha akuzon Ramën për manipulim të votës së 11 majit: “Ka luajtur vetë me votën, me rendin, me gjithçka”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për manipulimin e votave në zgjedhjet e 11 majit. Gjatë një deklarate për mediat, Berisha u shpreh se Rama “ka luajtur vetë me votën, me rendin, me të gjitha”, duke e konsideruar procesin si të deformuar dhe të kapur nga pushteti.

“PD ka statutin dhe do i përmbahet atij, por ka disa parime eprore, dhe më i shenjti është vota e lirë e shqiptarëve. Kjo parti nuk do ndalet dhe do vazhdojë betejën për garantimin e saj,” u shpreh Berisha.

Ai solli në vëmendje edhe rastin e hetimeve në Spanjë, duke kujtuar se një javë para zgjedhjeve, në Valencia, Edi Rama u përmend si pjesë e një skeme për blerje votash. Sipas tij, kryeministri ka përdorur çdo mjet të paligjshëm për të qëndruar në pushtet.

“Ju garantoj, nuk ka akt dhe gjë në botë që Rama nuk do ndërmarrë për të mbajtur karrigen, sepse është zhytur në krime të tmerrshme. Blerje votash me para, me zarfa, me prokurime, me kanabis, me punësime – të gjitha format janë përdorur,” theksoi Berisha.

Deklaratat vijnë në një klimë të tensionuar politike pas përfundimit të zgjedhjeve, ndërsa Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të vazhdojë denoncimet për çështjet që lidhen me integritetin e procesit zgjedhor.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button