Lajme

Berisha akuzon Dumani për heshtje ndaj aferës së inceneratorit: “130 milionë euro të Veliajt e Ramës, investohen në kulla”

Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sot publikisht kreun e SPAK, Altin Dumani, për heshtje të qëllimshme ndaj çështjes së inceneratorit të Tiranës dhe përfshirjes së dyshuar të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama në investime me para publike.

Në një konferencë për shtyp, Berisha reagoi pas deklaratës së prokurorit të posaçëm, Altin Dumani, i cili tha se ndaj Veliajt po zhvilloheshin hetime të veçuara për disa vepra penale. Por për Berishën, kjo është thjesht një manovër për të shmangur hetimin e thelluar të asaj që ai e cilësoi si “afera Nesti Angoni”.

“Sot, Altin Troplini informoi se Veliaj po hetohet për fakte të tjera penale. Qytetarët dixhitalë kanë informuar se dëshmitarët e aferës Veliaj kanë dhënë dëshmi tronditëse për 130 milionë euro të inceneratorit, që janë investuar në kulla nga Edi Rama dhe Erion Veliaj. Për këto para, Altin Dumani mban heshtje varri,” deklaroi Berisha.

Sipas tij, dëshmitë që po qarkullojnë janë të mjaftueshme për një hetim të thelluar dhe të gjithanshëm, por “me Altin Troplinin ky hetim është i pamundur”.

Berisha pretendoi se shuma e abuzuar me inceneratorin e Tiranës nuk është vetëm 130 milionë euro, por arrin deri në 190 milionë duke përfshirë edhe fondet për dherat. Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për të fshehur apo injoruar këto dëshmi do të mbajë përgjegjësi të barabartë me autorët e vjedhjes.

“Natyrisht askush të mos presë që Altin Troplini të ndjekë këtë çështje përderisa aty është emri i Edi Ramës. Çdo gjë që lidhet me Edi Ramën, fshihet dhe mbyllet nga Altin Troplini. Por e vërteta vonon, por nuk harron,” përfundoi Berisha.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button