
Zgjedhjet në Shqipëri ishin gjithëpërfshirëse dhe transparente. Ky është qëndrimi i Bashkimit Europian për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa fokusin e vendos edhe tek klima e polarizuar. BE thotë se do të ndjekë me kujdes të gjitha zhvillimet politike deri në certifikimin e rezultatit.
Edhe Bashkimi Europian thotë se zgjedhjet e 11 majit ishin gjithëpërfshirëse dhe transparente. Përmes një deklaratë të përbashkët nga shefja e diplomacisë së jashtme, Kaja Kallas dhe komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, përgëzohen autoritetet për zhvillimin normal të procesit zgjedhor në të gjithë vendin. Në deklaratë përmendet edhe vota e diasporës për herë të parë.
BE i referohet edhe përfundimeve paraprake të OSBE/ODIHR, duke theksuar dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe e organizuar mirë, pavarësisht disa mangësive.
“Të dielën, qytetarët e Shqipërisë ushtruan të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe për të zgjedhur përfaqësuesit në Kuvend. Ne përgëzojmë të gjitha autoritetet përkatëse që siguruan zhvillimin normal të procesit zgjedhor në të gjithë vendin. Këto zgjedhje shënuan gjithashtu për herë të parë edhe përfshirjen e votimit nga jashtë vendit.
Sipas gjetjeve dhe përfundimeve paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, zgjedhjet u menaxhuan në përgjithësi në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, ndërsa dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe e organizuar mirë, pavarësisht disa mangësive”, thuhet në deklaratë.
Theksin tek klima e polarizuar politike e vë edhe Bashkimi Europian, i cili vlerëson se kandidatët patën mundësinë të zhvillonin fushatën e tyre në mënyrë të lirë, megjithëse disa raportuan për raste intimidimi. Unioni përshëndet edhe përpjekjet për hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore, duke i konsideruar një zhvillim pozitiv.
“Zgjedhjet në përgjithësi ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, kandidatët patën mundësinë të zhvillonin fushatën e tyre në mënyrë të lirë, megjithëse disa raportuan për raste intimidimi. Megjithatë, votimi u zhvillua në një ambient të thellë polarizimi politik, ku kandidatët nuk kishin kushte të barabarta gare. Përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe ndikimi institucional mund të ketë krijuar një avantazh për shumicën qeverisëse. Janë bërë shumë pretendime për ushtrim presioni ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës publike. Përpjekjet e koordinuara për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore janë një zhvillim pozitiv, por kërkohet vazhdimësi për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme mbi parregullsitë zgjedhore. Pavarësia e medias vijon të mbetet problematike dhe mbulimi mediatik i fushatës ka vazhduar të favorizojë partitë kryesore, ndërsa transparenca mbi financimin e fushatës ka qenë e kufizuar”, vijohet në deklaratë.
Bashkimi Europian thotë se do të ndjekë me kujdes zhvillimet zgjedhore deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve. BE bën thirrje që të vijohet me reformat për anëtarësimin, duke theksuar në deklaratë se integrimi në BE është objektiv strategjik kombëtar.
“BE-ja do të ndjekë me kujdes zhvillimet zgjedhore deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve. Të gjitha forcat politike duhet të garantojnë funksionimin e vazhdueshëm të institucioneve të vendit. Ne inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë me të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin e saj të ardhshëm në BE, përfshirë miratimin e një reforme të mëtejshme zgjedhore që adreson të gjitha rekomandimet kryesore të ODIHR, si dhe ato që mbeten të pazgjidhura nga zgjedhjet e mëparshme. Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është një objektiv strategjik kombëtar dhe një përpjekje gjithëpërfshirëse shoqërore, e cila gëzon mbështetje të fortë nga qytetarët shqiptarë”, thuhet në deklaratë.
Në fund, Bashkimi Europian e mbyll deklaratën duke thënë se “ritheksojmë thirrjen tonë për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, pasi të gjitha partitë politike dhe të gjitha segmentet e shoqërisë shqiptare, nga organizatat e shoqërisë civile te komunitetet lokale, kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në avancimin e mëtejshëm të këtij procesi.”
Një ditë më parë, Pas monitorimit të procesit zgjedhor të 11 majit 2025, misioni i OSBE/ODHIR vlerësoi se zgjedhjet në Shqipëri ishin konkurruese dhe në përgjithësi profesionale, pavarësisht mjedisit të polarizuar politik. Raporti, veçon zhvillim të rëndësishëm, votimin për herë të parë të diasporës, ndërsa vuri në dukje rolin pozitiv të SPAK, i cili kontribuoi ndjeshëm në hetimin e rasteve të korrupsionit zgjedhor.