Kosova
Kryesore

BE-ja kritikon mbylljen e institucioneve serbe në Mitrovicë nga Qeveria e Kosovës

Bashkimi Evropian ka dënuar mbylljen e zyrave në Mitrovicë të Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Invalidore e Pensionale, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë. Sipas BE-së, ky veprim përbën një hap të pakoordinuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës dhe bie ndesh me obligimet e vendit ndaj bllokut evropian.

“Statusi i këtyre institucioneve duhet të zgjidhet në linjë me dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, marrëveshjet e arritura dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në deklaratën e BE-së. Blloku evropian i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve relevante që të shmangin provokimet dhe veprimet e dëmshme, si dhe të konsultohen me komunitetin serb dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipas autoriteteve lokale, Inspektorati i Mitrovicës së Veriut, me asistencën e Policisë, ka kryer kontroll në zyrat e këtyre institucioneve dhe ka konstatuar mungesën e dokumentacionit të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë. Puna është pezulluar përkohësisht dhe procedurat e mëtejshme do të zhvillohen sipas ligjeve në fuqi.

Fondi për Sigurime Shëndetësore në Mitrovicë funksionon në kuadër të Fondit Republikan të Serbisë dhe ofron shërbime si vërtetimin e libreza shëndetësore, punët e komisioneve mjekësore dhe pagesën e kompensimeve financiare. Në mjediset serbe të Kosovës, institucionet shëndetësore dhe arsimore vazhdojnë të funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

Në vitin 2024, autoritetet e Kosovës nisën mbylljen e disa institucioneve serbe, përfshirë Postën e Serbisë, Bankën e Kursimeve Postare dhe organet komunale të përkohshme, veprime që kanë nxitur kritika nga BE-ja dhe SHBA-ja. Përfaqësuesja e Ambasadës amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ka theksuar se integrimi i institucioneve paralele serbe duhet të bëhet vetëm përmes konsultimeve me komunitetin serb.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button