Kosova

BE dënon sulmet e Vetëvendosjes ndaj sistemit gjyqësor pas vendimit për arkat fiskale

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka reaguar pas kritikave të ashpra të zyrtarëve të Vetëvendosjes ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për arkat fiskale.

Orav bëri të ditur se kjo çështje është diskutuar edhe mes shefave të misioneve të BE-së, duke e cilësuar të papranueshme gjuhën e përdorur nga përfaqësues të pushtetit ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë.

“Shefat e Misioneve të BE-së diskutuan situatën pas vendimit të Gjykatës Supreme. Sulmet ndaj gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor janë të papranueshme,” ka deklaruar ambasadori Orav.

Vendimi i Supremes nuk është pritur mirë nga partia në pushtet, Vetëvendosje, e cila përmes zyrtarëve të saj ka kritikuar publikisht gjyqësorin. Ndaj këtij vendimi kanë reaguar zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, si dhe koordinatorja e komiteteve të VV-së, Dejona Mihali.

Edhe Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga Albin Kurti, doli me një reagim zyrtar duke e quajtur vendimin e Supremes të pabazuar dhe si një interpretim të njëanshëm.

BE ka bërë thirrje për respektim të pavarësisë së gjyqësorit dhe për shmangie nga ndërhyrjet politike në çështjet gjyqësore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button