Bayer Leverkusen zyrtarizon përforcimin e madh: Malik Tillman pasardhës i Florian Wirtz

Bayer Leverkusen ka bërë një goditje të madhe në tregun e transferimeve duke siguruar shërbimet e mesfushorit ofensiv amerikan, Malik Tillman. Ky lëvizje vjen si përforcim strategjik në prag të sezonit të ri, ndërsa Tillman shihet si pasardhësi i Florian Wirtz, i cili pritet të largohet nga klubi.
Lajmi është konfirmuar nga gazetari i njohur italian dhe eksperti i merkatos, Fabrizio Romano, i cili njofton se Leverkusen ka arritur marrëveshje me PSV Eindhoven për shumën mes 35 dhe 40 milionë euro, përfshirë bonuset.
Tillman, i cili aktualisht është i angazhuar me përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara në turneun Gold Cup, pritet të kryejë vizitat mjekësore në SHBA përpara se të nënshkruajë kontratën afatgjate me “Farmaceutikët”.
Ky transferim nuk ka qenë i lehtë, për shkak të një klauzole të pazbardhur mirë që i jepte Bayern Munichut të drejtën e rikthimit të Tillman – klub ku ai ishte rritur si futbollist. Megjithatë, pas negociatave të gjata dhe pranimit të një plani të detajuar nga ana e Bayernit, transferimi u finalizua me sukses.
Bayer Leverkusen, tashmë nën drejtimin e trajnerit të ri Erik ten Hag, e sheh Tillman si një element kyç për të vazhduar rrugëtimin e nisur nga Xabi Alonso. Nëse edhe Granit Xhaka qëndron në skuadër, mesfusha e Leverkusenit do të fitojë thellësi dhe cilësi të konsiderueshme për sfidat e ardhshme në Bundesliga dhe në Evropë.
Të gjitha palët janë të kënaqura me marrëveshjen: lojtari, PSV Eindhoven dhe Bayern Munich, çka e bën këtë transferim një operacion të suksesshëm për Leverkusenin.