Basir Çollaku: Giro d’Italia në Shqipëri – shembull i euro-hovardarisë së qeverisë “bablok”

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Dibrës, Basir Çollaku, ka reaguar ashpër ndaj shpenzimeve për organizimin e nisjes së garës ndërkombëtare të çiklizmit Giro d’Italia në Shqipëri, duke e quajtur këtë një formë të keqpërdorimit të fondeve publike nga qeveria.
Përmes një postimi në Facebook, Çollaku thotë se Shqipëria ka paguar 7 milionë euro nga fondi rezervë i shtetit për të siguruar të drejtën e organizimit të Grande Partenza-s, shumë kjo më e lartë se ajo e ofruar nga rajoni italian Friuli (6 milionë euro) apo edhe nga Danimarka (2 milionë euro) në edicione të kaluara.
“Bablok-eurohovardari ofroi 1 milion më shumë se rajoni italian dhe fitoi. 7 milionë euro nga taksat tona për një shfaqje”, shkruan ai, duke e vënë këtë vendim në kontrast me gjendjen ekonomike të vendit dhe prioritetet publike si shëndetësia.
Duke iu referuar të dhënave të Bankës Botërore, Çollaku thekson se Shqipëria ka një GDP më të ulët se Friuli dhe të ardhura për frymë shumë më të vogla, por sërish ka ofruar më shumë fonde për këtë event. Ai e quan këtë “një skenari të shtrenjtë dhe të pakuptimtë propagandistik”, duke përmendur edhe shpenzimet e dyshimta në projekte si tuneli i Llogarasë, i cili, sipas tij, ka kushtuar trefish më shumë se projekte të ngjashme në vende si Danimarka.
Në fund të reagimit të tij, Çollaku bën një krahasim ironik me qëndrimin e liderit komunist të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, i cili në vitin 1971 kishte refuzuar të merrte pjesë në eventin e Giro d’Italia që zhvillohej në vendin e tij, për të ruajtur seriozitetin e postit.
“Unë jam Tito, jo Toto,” përmend Çollaku, duke lënë të kuptohet se serioziteti i udhëheqjes së dikurshme kontraston me spektaklin politik të ditëve të sotme.