Basir Çollaku akuzon kandidatin e PS, Agron Malaj: Firmosi privatizimin e tokës për babain dhe djalin e dajës – konflikt i pastër interesi

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Dibrës, Basir Çollaku, ka hedhur akuza të rënda ndaj kandidatit të Partisë Socialiste dhe ish-kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj. Në një reagim në Facebook, Çollaku ka publikuar një rast të vitit 2020, ku sipas tij, Malaj ka firmosur një vendim që ndihmon në privatizimin e tokës për babain e tij dhe djalin e dajës, duke përbërë një rast të pastër të konfliktit të interesit.
“Tokë babait me firmën e djalit kryebashkiak”, shkruan Çollaku, duke e cilësuar këtë si një shembull të “privatizimit institucional” dhe një abuzim me pushtetin. Ai nënvizon se ligji ndalon qartë përfshirjen në vendimmarrje të zyrtarëve që kanë lidhje të drejtpërdrejta me përfituesit.
Në postimin e tij, Çollaku thekson se Malaj ka shpërfillur çdo standard ligjor dhe etik, duke nënshkruar një vendim që mund të ishte zgjidhur ndryshe, pa rrezikuar integritetin institucional.
“Natyrisht qytetarët e tjerë përfitues nga ky vendim mund të kenë të drejtë dhe dosja të jetë në rregull. Por kjo mbetet për t’u shqyrtuar në vijim. Këtë herë, numrat 21 babai dhe 42 djali i dajës, janë raste vëzhgimi”, shkruan Çollaku, duke lënë të kuptohet se mund të ketë edhe të tjera raste të ngjashme.
Çështja ka ngritur dyshime serioze mbi mënyrën sesi janë ndarë pronat publike në nivel lokal dhe ka ndezur debat mbi integritetin e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të pritshme.