“Bashkimi i brezave për një Shqipëri më të drejtë” – Mesazh i fuqishëm nga Partia Demokratike në përmbyllje të turit kombëtar

Në përmbyllje të turit të përbashkët të Departamentit të të Përndjekurve Politikë dhe atij të Brain Gain, Partia Demokratike ka përcjellë një mesazh të fuqishëm bashkimi dhe shprese për të ardhmen e Shqipërisë.
Nën moton “Drejt një Shqipërie më të drejtë dhe më të lirë”, përfaqësues të PD-së kanë zhvilluar takime në çdo cep të vendit me qëndrestarë të regjimit komunist, familjarë të të përndjekurve politikë dhe të rinj të arsimuar jashtë vendit që janë rikthyer për të kontribuar në atdhe.
“Turi tregoi se në Partinë Demokratike janë brezat që përfaqësojnë gjakun dhe mendjen e një kombi që nuk është dorëzuar kurrë,” deklaruan bashkëautorët Shkëlqim Lepenica dhe Nikola Kedhi. Sipas tyre, ky bashkim nuk është vetëm simbolik, por thelbësor për të ardhmen e partisë dhe të Shqipërisë.
Programi i Partisë Demokratike është mirëpritur gjerësisht, veçanërisht ai për të përndjekurit politikë, i cilësuar si një “Besëlidhje” për rivendosjen e dinjitetit të atyre që sakrifikuan për lirinë e vendit. PD e konsideron veten shtëpi politike për të përndjekurit, elitën e re intelektuale dhe çdo qytetar që beson në liri, familje, pronë dhe dinjitet njerëzor.
“Ky tur na kujtoi se pa kujtesën e së shkuarës nuk ka qëndrueshmëri në të ardhmen, dhe pa energjinë e të rinjve nuk ka fuqi për ta fituar atë,” u tha në deklaratë.
Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, drejtuesit e PD-së shprehën besimin se baza e partisë është jo vetëm e konsoliduar, por edhe e zgjeruar, duke e cilësuar opozitën si një “misionare në shumicën absolute të vendit”.
“Ne do të ecim përpara së bashku, si një familje që nuk harron, nuk dorëzohet dhe nuk ndalet,” u theksua në fund të mesazhit.