KryesoreLajme
Kryesore

Basha: Koalicioni Euroatlantik për drejtësinë, familjen dhe Shqipërinë – thirrje për votën e ndryshimit në Laprakë

Kreu i Koalicionit Euroatlantik zhvilloi një takim me qytetarët dhe mbështetësit e zonës së Laprakës, duke apeluar që të votohet për ndryshimin dhe të ardhmen e vendit. Basha: Koalicioni Euroatlantik, për drejtësinë, për familjen, për Shqipërinë.
Kreu i Demokratëve dhe Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, zhvilloi një takim edhe me qytetarët në zonën e Laprakës.

Ai i bëri thirrje votuesve të reflektojnë mbi rëndësinë e votës së tyre më 11 maj. Në fjalën e tij, Basha theksoi se ky proces zgjedhor nuk është thjesht një moment formal demokratik, por një akt me pasoja afatgjata që do të përcaktojë drejtimin e vendit për katër vitet e ardhshme.

“Vota nuk është një copë letër. Është një çelës që hap një portë. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: cilën portë do hapim? Do hapim portën e burgut 313, që të dalin të korruptuarit dhe të vazhdojnë të zhvasin shqiptarët? Apo do hapim portën e shpresës, të mirëqenies dhe të sigurisë për familjet shqiptare?”, u shpreh ai mes të tjerash.
Në mesazhin e tij, Basha kritikoi kundërshtarët politikë, duke i akuzuar për përpjekje për të bllokuar drejtësinë dhe për të mbrojtur korrupsionin. Ai theksoi se Koalicioni Euroatlantik mbështet fuqimisht punën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe do të punojë për të ndëshkuar zyrtarët e korruptuar.

“Ne nuk do t’i mbrojmë të korruptuarit. Ne do t’i ndëshkojmë. Paratë që iu janë vjedhur shqiptarëve do të kthehen në politika që ndihmojnë të rinjtë, pensionistët dhe familjet e ndershme”, tha ai.

Basha prezantoi disa prej pikave kyçe të programit të Koalicionit Euroatlantik për familjet shqiptare:

“Kredi të subvencionuara nga shteti për 30 mijë çifte të reja për të ndihmuar në themelimin e familjes. Bonusi i bebes: ndihmë financiare për lindjen e fëmijës së parë. 20 mijë euro për fëmijën e tretë, si mbështetje për rritjen e natalitetit”, u shpreh Basha.

Ai ironizoi qëndrimet e kundërshtarëve ndaj këtyre propozimeve, duke thënë se ata talleshin me idenë e bonusit për bebet, sepse për ta është më normale të vjedhin 20 mijë euro në ditë sesa t’ia japin ato një familjeje që sjell jetë të re në vend.

Gjithashtu theksoi se taksat e shqiptarëve, që aktualisht përfundojnë në xhepat e shokëve të kryeministrit Rama, do t’i kthehen qytetarëve. Basha u shpreh se programi i koalicionit fokusohet në zhvillimin ekonomik, rritjen e pensioneve dhe mbështetje për rininë, duke krijuar 25 mijë vende pune në sektorin e teknologjisë së informacionit me paga dinjitoze.

“Taksat e shqiptarëve, taksat tuaja që i paguani ditë për ditë më të larta në Ballkan, se si përpihen këto para dhe përfundojnë në xhepat e shokëve të Ramës, apo do ia kthejmë këto taksa shqiptarëve. Programi jonë bazën e ka zhvillimin ekonomik, rritja e pensioneve, mbështetja e rinisë, hapja e vendeve të punës në sektorin e teknologjisë së informacionit me paga dinjitoze për të rinjtë shqiptarë, për 25 mijë të rinj dhe të reja shqiptare, siç e kemi ne investimin më të madh publik në buxhetin që parashikojmë për katër vitet e ardhshme për Shqipërinë. Të gjitha këto bazën e kanë te diçka që na diferencon dhe na dallon 100% nga çdo forcë tjetër politike në këto zgjedhje: mbështetja totale dhe pa rezerva ndaj SPAK. Me vepra, jo me fjalë. Sepse synimi ynë nuk është t’i servirim shqiptarëve byrekun e vjetër të premtimeve bajate elektorale”, u shpreh ai.

Basha më tej tha se Rama dhe Berisha nuk e duan SPAK-un sepse SPAK dhe beteja që ka nisur kundër korrupsionit është kërcënim për të gjithë të korruptuarit. Sipas tij, kjo shihet edhe me kandidatët që kanë në lista, tek 5-sa është vazhdim i korrupsionit me shokët e 7×7=313 dhe 1-shi që do luftojë korrupsionin me Ilir Metën, e krimin me Elvis Roshin.

“E dimë fare mirë as 5-sa, as 1-shi nuk e duan SPAK-un, e shohin si kërcënim dhe kanë të drejtë sepse SPAK dhe beteja që ka nisur kundër korrupsionit është kërcënim për të gjithë të korruptuarit, është kërcënim për shokët e Ramës të cilët ai do t’i nxjerr nga burgu. Është kërcënim për shoqet valltare me rripa 1600 euro që hedhin vallen nga belaja dhe sigurisht për ata që ta vënë mendjen në punë më 11 maj. Kjo është thirrja jonë, të vendosim mendjen në punë e të votojnë me zemër për veten e tyre me dhembshuri për familjet e tyre, për fëmijët e tyre. Është e qartë që propozimi që të luftojmë korrupsionin me Ilir Metën deputet, e të luftojmë krimin me Elvis Roshin deputet, është një gënjeshtër e mirëfilltë. 5-sa është dështim, është vazhdim i korrupsionit, 1-shi është riciklim i rrangallave të korrupsionit. E vetmja shpresë për ndryshim të vërtetë që nis nga lufta kundër korrupsionit dhe çlirimi i milionave dhe miliardave që korrupsioni iu kushton shqiptarëve, është vota për Koalicionin Euroatlantik, për numrin 4”, nënvizoi Basha.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button