Barcelona nuk heq dorë nga Luis Díaz – Po përgatit ofertë të re për Liverpoolin

Barcelona vazhdon të insistojë në përpjekjet për të transferuar sulmuesin kolumbian, Luis Díaz, nga Liverpool. Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, klubi katalanas po përgatit një qasje të re ndaj anglezëve në ditët apo javët e ardhshme, me shpresën për të bindur “The Reds”, pavarësisht refuzimeve të deritanishme.
Pas dështimit për të siguruar shërbimet e Nico Williams, drejtuesit e Barcelonës kanë rishikuar objektivat e merkatos dhe tashmë kanë kthyer sytë kah Díaz, i cili ka qenë prej kohësh në listën e dëshirave të klubit blaugrana.
Megjithatë, situata mbetet e ndërlikuar. Liverpool deri më tani ka refuzuar çdo interesim, jo vetëm nga Barcelona, por edhe nga Bayern Munich, duke u treguar të palëkundur në qëndrimin e tyre për ta mbajtur lojtarin.
Transferimi i Díaz në “Camp Nou” duket i vështirë, por jo i pamundur. Barcelona është e vendosur të bëjë përpjekjen e fundit, me shpresën se një ofertë konkrete dhe bindëse mund të ndryshojë qëndrimin e Liverpoolit.