Barcelona ndryshon mendje: Udhëton drejt Japonisë për miqësoren me Vissel Kobe

Vetëm 17 orë pasi kishte njoftuar se nuk do të udhëtonte në Japoni, FC Barcelona ka ndryshuar qëndrim. Miqësorja kundër Vissel Kobe, e planifikuar për të dielën, pritet të zhvillohet megjithatë, pavarësisht problemeve të fundit rreth organizimit të ndeshjes.
Klubi katalanas kishte deklaruar më herët se nuk do të merrte pjesë në miqësore për shkak të mospagesës nga ana e organizatorëve. Sipas tyre, promotori D-Drive nuk kishte përmbushur detyrimet financiare, çka e shtyu Barcelonën të tërhiqej. Më pas, D-Drive akuzoi nënkontraktorin japonez Yasuda për mashtrim dhe mospagesë, duke deklaruar se mbështet klubin në veprimet ligjore.
Zëvendëspresidenti Rafa Yuste tha të mërkurën mbrëma për Jijantes se udhëtimi në Japoni ishte anuluar, duke theksuar mungesën e respektit nga pala organizatore:
“Nuk do të shkojmë në Japoni sepse nuk e kanë respektuar klubin; ne mbrojmë interesat e Barcelonës”, deklaroi ai.
Megjithatë, ndërkohë që Barcelona kërkonte një kundërshtar alternativ për në Kore të Jugut — madje trajneri Hansi Flick kishte nisur kontakte me lidhje të tij në Gjermani — një zhvillim i ri e ndryshoi situatën. Ish-sponsori kryesor i fanellave të Barcelonës, Rakuten, ka pranuar të mbulojë shumën që mungonte në marrëveshje, duke mundësuar zhvillimin e miqësores.
Rakuten, e cila ishte përgjegjëse për shpërndarjen e biletave, ndërhyri pas akuzave se Yasuda kishte dështuar të shlyente detyrimet. Ndërkohë, pavarësisht njoftimeve për anulim, Vissel Kobe nuk kishte ndalur shitjen e biletave për ndeshjen.
Sipas burimeve të afërta me klubin, delegacioni i Barcelonës pritet të udhëtojë për në Japoni të enjten ose të premten në mëngjes, sipas kohës lokale.
Kështu, përkundër tensioneve dhe anulimit të paralajmëruar, miqësorja me Vissel Kobe do të zhvillohet, falë ndërhyrjes vendimtare të Rakuten.