Lajme

Banka e Shqipërisë vendos masa kufizuese për kreditë e banesave: Kufij të rinj për huamarrësit

Banka e Shqipërisë ka miratuar masa të reja kufizuese për kreditë që lëshohen për blerjen e banesave, në një përpjekje për të ulur rrezikun financiar për bankat dhe huamarrësit. Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës u mor gjatë mbledhjes së së mërkurës dhe përcakton nivele tavan për dy tregues kyç: Raporti i kredisë ndaj vlerës (LTV) dhe Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave (DTI).

Sipas rregullave të reja, për kreditë në monedhën Lekë, raporti LTV nuk do të kalojë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë. Ndërkohë, për kreditë në valutë të huaj, ky raport do të jetë edhe më i ulët: 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

Për sa i përket DTI-së, tavanet e vendosura janë:

40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë në Lekë

35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë në valutë të huaj

Këto kufij synojnë të ulin rrezikun që kreditë për banesa të mos shlyhen në kohë, sidomos në rastet kur ndodhin zhvillime të pafavorshme ekonomike, si rënie të të ardhurave, rritje të papunësisë apo ndryshime në normat e interesit.

Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë ka rekomanduar që bankat të marrin në konsideratë edhe një afat maksimal për maturimin e kredisë për pasuri të paluajtshme rezidenciale, si një mënyrë për të përmirësuar profilin e rrezikut të huadhënies.

Vendimi pason rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili në dhjetor 2024 sugjeroi vendosjen e kufijve për LTV-në dhe DTI-në. Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar prej kohësh për rritjen e shpejtë të kreditimit për banesa, duke tentuar fillimisht ta frenojë përmes shtesave kundërciklike të kapitalit, të cilat deri më tani nuk kanë prodhuar efekt të ndjeshëm për shkak të kapitalizimit të lartë të sektorit bankar.

Të dhënat tregojnë se kredia e re për banesa në vitin 2024 arriti në 54.9 miliardë lekë (rreth 545 milionë euro), me një rritje vjetore prej 13%. Portofoli aktiv i kredive për banesa kapërceu 208.7 miliardë lekë, një rritje prej 15.5% në krahasim me vitin 2023.

Masa e re konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përforcimit të stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së tregut të pasurive të paluajtshme nga mbingarkesat spekulative.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button