
Para pak ditësh, Instituti i Studimeve Politike publikoi një hartë të rrezikut për blerjen e votave në zgjedhjet e 11 Majit.
Ashtu si çdo palë zgjedhje, nga 2017 e në vazhdim, faktor determinues në rezultatin e zgjedhjeve janë bandat kriminale, të cilat me ardhjen e Edi Ramës në pushtet, në vitin 2013, fituan pushtet politik real. Raportet ndërkombëtare, nga OSCE-ODIHR e deri te Departamenti Amerikan i Shtetit kanë lënë të shkruar e zeza mbi të bardhë përdorimin e bandave kriminale nga partia në pushtet për të deformuar vullnetin e qytetarëve.
Nga studimi i Institutit të Studimeve Politike, një ndër institutet serioze në Shqipëri që merret me vëzhgimin e fushatave elektorale dhe zgjedhjeve rezulton se Partia Socialiste (në pushtet prej 12 vitesh) ka aktivizuar të gjitha lidhjet me bandat kriminale duke i aktivizuar ato për grabitur zgjedhjet parlamentare të 11-Majit 2025.
Të dhënat tregojnë se qarku i Elbasanit qëndron në krye të listës së riskut, i ndjekur nga Durrësi, Shkodra, Tirana, por nuk mbeten pas as qarqe të tjera si Lezha, Fieri, Vlora etj.
Në Elbasan nyja gordiane që lidh partinë e Edi Ramës me krimin është banda e Suel Çelës.
Suel Çela deri në shtator të 2017-s, nuk ishte i famshëm përtej Elbasanit.
Ai u bë i famshëm në këtë vit, që ishte edhe vit elektoral në Shqipëri, kur me Audin e tij luksoz për pak sa nuk shtypi efektivët e policisë së shtetit që e ndaluan për kontroll. Pamjet që u publikuan treguan mjetin duke hyrë në mjediset e brendshme të tregut të fruta-perimeve, ku roja mbyll menjëherë derën duke mos lejuar policinë që ta ndjekë nga pas.
Pas këtij incidenti, emri i Suel Çelës u bë i njohur për publikun edhe falë denoncimit të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili është i vetmi politikan që ka guxuar të denoncojnë publikisht ndër vite me emra të gjitha bandat kriminale në Shqipëri.
Kujtojmë se Shqipëria nuk është një terren i favorshëm për denoncimin me emra të bandave kriminale të lidhura me pushtetin, as nga mediat e gazetarët, pasi mbrojtja nga shteti në raste të tilla është inekzistente. Gjë të cilën Berisha e pohon herë pas here në ndenoncimet e tij.
Edhe pse në kërkim nga SPAK, banda e Suel Çelës ka nisur presionet dhe shantazhet për manipulimin e votave në qarkun e Elbasanit.
Çela është në kërkim nga SPAK, por mbrojtja politike që ka nuk e pengon të diktojë emra kandidatësh në listën e PS për deputetë dhe të terrorizojë qytetarët për të marr vota.
Rasti më i fundit është denoncuar sërish nga lideri i PD, Berisha, dhe bëhet fjalë për kandidaten Sara Mile, për të cilën flitet se Edi Rama e ka futur në listë si pjesë e marrëveshjes me Suel Çelën.
Elbasani, Librazhdi, Gramshi e shumë zona të tjera të qarkut janë nën terrorin e Suel Çelës për të votuar Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11-Majit 2025.
Në rend pas Elbasanit vjen qyteti bregdetar i Durrësit, ku dosjet e përgjimeve të telefonave të inkriptuar SKY ECC treguan se mbi 80% të listës së deputetëve të Partisë Socialistë në zgjedhjet e 2021 i kishin caktuar bandat kriminale. Gjë e cila përveçse u faktu përmes dosjes së pahetuar 339 nga SPAK, u bë e njohur edhe me arrestimin e Jurgis Çyrbes, vitin e fundit. Deputet i afërt me Edi Ramën.
Në Durrës lidhja direkte e Ramës me bandat kriminale është edhe më e qartë, pasi aty operon miku i tij i ngushtë, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
I cili ia ka hedhur paq akuzave për korrupsion dhe krim zgjedhor falë lidhjeve me Ramën dhe tashmë ndodhet në arrest shtëpiak vetëm për një vepër penale qesharake, atë të shpërdorimit të detyrës.
Verifikimi i bisedave në aplikacionin “Sky”, ka sjellë sekuestrimin e një aparati telefonik të një prej eksponentëve të lartë në Policinë e Shtetit, që shërben pranë Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organziuar. Burime nga SPAK bëjnë me doje se bëhet fjalë për drejtorin e policisë kriminale Neritan Nallbati, i cili dyshohet se ka pasur biseda dhe lidhje me bandën e Troplinëve në Durrës.
Banda e tyre njihet që ka si specialitet trafikun e lëndeve narkotike nga vendet e Amerikës Latine në Shqipëri dhe më pas në BE. Ky grup kriminal është kapur edhe në përgjimet e SKY, ku dilte qartë dhe lidhja dhe ndikimi i tyre në policinë e shtetit në këtë qark.
Burimet thonë se banda e Troplinëve është investuar fuqishëm për të blerë votat për Edi Ramën. Nipi i tyre, Vis Doçi, është denoncuar publikisht disa herë nga kreu i opozitës, Sali Berisha.
Në qarkun e Fierit Edi Rama ka dërguar zëvendësen e tij si drejtuese politike, Belinda Balluku, e akuzuar nga opozita për afera të mëdha korruptive.
Në këtë qark kreu i opozitës Berisha ka deklaruar se kandidatja Kiduina Zaka po garon me garancitë e bandës së Alfred Shytit.
Një nga bandat më famëkeqe në Shqipëri e cila i ka rrënjët dhe lidhje të hershme me Partinë Socialiste që nga viti 1997.
“Nuk dihet pse krimi ka zgjedhur të fshihet pas vajzave të reja, por tek e fundit këtë gjë bën edhe Edi Rama nga qeverisja qendrore.”,- ka deklaruar kreu i pozitës në një konferencë të fundit për mediat ku edhe ka denoncuar me emra anëtarët e bandave kriminale.
Qyteti më i madh në Veri të Shqipërisë, Shkodra, është vënë përfund nga krimi në zgjedhjet e fundit lokale, ku bandat kanë terrorizuar votuesit për t’i dhënë në dorë bashkinë Edi Ramës.
“Burgu i Reçit me drejtor Safet Bajrin. Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital! Pershendetje dr Me urdher te ministrit Manja dhe Gys Agasit Bajret nga burgu 313 i Tiranes jane transferuar ne Burgun e Reçit ku ne fakt Safeti eshte drejtori real. Ai vet dhe dy te te burgosur te tjere jane paisur me telefona dhe bejne fushat elektorale nga mengjesi ne darke. Ju lutem anonim e kuptoji vet.”,- ky është denoncimi i bërë nga Berisha vetëm pak ditë më parë.
Kush është Safet Bajri?
Ai është cilësuar si një nga emrat më të përfolur të botës së krimit në Shqipëri dhe më gjerë. Ndaj tij ka një vendim dënimi nga Belgjika, vend ku akuzohet si kreu i një organizate kriminale.
Shkodrani akuzohet për trafik droge e prostitucion nga Gjykata e Brukselit. Për këto akuza ai është dënuar nga Apeli në Bruksel me 9 vite burgim. Ndërkaq në Shqipëri, Safet Bajri akuzohet për trafik droge, vrasje, gjobëvënie e shantazh.
Drejtësia shqiptare e ka lënë të lirë Bajrin deri pak kohë më parë, madje ai u përdor nga Partia Socialiste gjithashtu për zgjedhjet lokale të 2023-isht.
Së fundi Bajri u arrestua falë insistimit të partnerëve të huaj, por Ulsi Manja, ministri i Drejtësisë në Shqipëri, e ka transferuar atë në burgun e Reçi.
Reçi është një zonë në qytetin e Shkodrës, qytet ku kryen veprimtarinë e tij kriminale Bajri, dhe dyshimet janë se transferimi i tij është bërë për të nisur presionet për mbledhjen e votave për partinë e kryeministrit Rama. Burimet bëjnë me dije se Bajrit ia janë krijuar të gjitha kushtet, me telefon, internet, dhomë të veçantë në burg për t’i dhënë gjithë hapsirën e nevojshme për të vijuar aktivitetin kriminal të mbledhjes së votave në zgjedhjet e 11-Majit.
Lezha dhe Dibra janë gjithashtu dy qarqe në të cilat bandat kriminale me pushtetin e Edi Ramës janë bërë njësh.
Drejtues politik në Lezhë është Ulsi Manja, ministri i Drejtësisë, i cili ka miksuar bandat që operojnë në qarkun e Dibrës, ku ka qenë më parë drejtues politik me ato të Lezhës.
Manja ka qenë pjesë e dosje së famshme 184, e krimit zgjedhor në Dibër, dosje e cila ashtu si ajo 339 u amnistuan nga SPAK, drejtësi e kontrolluar nga Rama.
Për këto dy dosje janë transmetuar përgjime edhe në prestigjozen gjermane BILD, ku Ulsi Manja dhe Edi Rama janë dy nga personazhet kryesore të saj.
Siç duket edhe nga studimi i institutit në fjalë, zonat e kuqe të krimit zgjedhor janë riaktivizuar përsëri në prag të zgjedhjeve parlamentare. E ndërsa bandat më të rrezikshme në vend kanë nisur punën për deformimin e vullnetit të qytetarëve, drejtësia që amnistoi krimet zgjedhore të 2017, 2021, 2023 me urdhër të kryeministrit, bën takime propagandistike për Task Force kundër krimit zgjedhor.