Azemi i LDK-së premton transformimin e tregut të qytetit në Ferizaj: “Nga hapësirë e mjerueshme në qendër të gjallë komunitare”

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Ferizajt, Azem Azemi, ka publikuar një video në Facebook nga tregu i qytetit, përmes së cilës ka shpalosur vizionin e tij për transformimin e kësaj hapësire publike.
Në postimin e tij, Azemi e përshkruan gjendjen aktuale të tregut si të “mjerueshme” dhe thekson se është lënë pas dore për një kohë të gjatë.
“Tregu i qytetit të Ferizajit, sot, fatkeqësisht është krejtësisht i lënë pas dore – një hapësirë në gjendje të mjerueshme,” shkroi ai.
Azemi premton një projekt të ri për rigjallërimin e tregut, duke e kthyer atë në një vend funksional dhe atraktiv për qytetarët.
“Ne kemi një vizion të qartë: ta rikthejmë këtë treg te qytetarët, te tregtarët e zejtarët tanë – dhe ta shndërrojmë në një hapësirë të gjallë, të pastër, ku njerëzit jo vetëm blejnë, por edhe qëndrojnë, shoqërohen dhe e ndjejnë veten mirë,” shtoi ai.
Përmes këtij zotimi, kandidati i LDK-së synon të adresojë një prej shqetësimeve kryesore të komunitetit lokal, ndërkohë që fushata për zgjedhjet lokale në Ferizaj po intensifikohet.