Avokati i policit të dyshuar: Paraburgimi u kërkua vetëm për shkak të raporteve të acaruara me familjen

Avokati kosovar, Besnik Berisha, që mbron njërin nga pesë zyrtarët policorë të arrestuar lidhur me rastin e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, ka reaguar pas paraqitjes së tyre në Gjykatë. Ai ka thënë se kërkesa për paraburgim nga Prokuroria është bërë vetëm për shkak të raporteve të acaruara mes familjes së viktimës dhe policëve të arrestuar.
“Sot u kërkua masa e paraburgimit për një arsye – për shkak të raporteve të acaruara”, deklaroi Berisha për media.
Ai ka theksuar se veprimet e Zejnullahut kanë qenë të dhunshme dhe se policët kanë vepruar në përputhje me detyrën.
“Veprimet e të ndjerit kanë qenë të dhunshme. I pari që ka telefonuar Policinë ka qenë një prokuror. Zyrtarët policorë e kanë kryer detyrën e tyre. Ata nuk janë as kardiologë, as pulmologë. Kemi një situatë për të cilën duhet të flasë mjekësia”, shtoi ai.
Berisha ka shprehur edhe kritika për mënyrën si është ofruar ndihma e parë mjekësore. Ai tha se sjellja e personelit mjekësor nuk ka qenë profesionale.
“Ndihma mjekësore nuk ka qenë e duhura. Dihet që del doktoresha sikur ta ketë ftuar dikush për kafe. Nuk provohet t’i jepet në vend ndihma. Prandaj nxitoi zonja e nderuar që t’i fajësojë policët, para se të flasë mjekësia”, theksoi ai.