
Drejtuesi i “Departamentit të Familjes dhe Politikave Kundër Shpopullimit” në PD dhe kandidati për deputet në qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, deklaroi se Durrësi është një nga qarqet përcaktuese për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në një intervistë për “A SHOW” me Adi Krastën, Kalaja tha se ky qark përbën 10% të Kuvendit dhe është barometër për rezultatin final.
Ai kujtoi rolin vendimtar të Durrësit në zgjedhjet e vitit 2005, që sollën rikthimin e Berishës në pushtet. Kalaja theksoi se ka zgjedhur të kandidojë në qarkun Durrës dhe jo në Tiranë, ku ka ndërtuar karrierën, për të përfaqësuar qytetin e tij të lindjes, Fushë-Krujën. Ai vlerësoi këtë qytet për rëndësinë historike, përfshirë vizitën e presidentit amerikan më 10 qershor 2007 dhe atë të Papës. Sipas tij, Fushë-Kruja është njësi administrative me 50 mijë banorë, e cila u hoq si bashki me ndarjen e re territoriale. Kalaja kritikoi hartën e re si “hartë elektorale”, duke thënë se ajo ka zbehur identitetin vendor. Ai premtoi se nisma e tij e parë nëse zgjidhet deputet do të jetë rikthimi i statusit të bashkisë për Fushë-Krujën.
Kalaja: Durrësi është një nga qarqet përcaktuese, përbën 10% të Kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë dhe është një lloj kampionimi ajo që do të ndodhë në Durrës.
Durrësi gjithmonë ka qenë barometër, këtu e 20 vite të shkuara, në 2005, ky qark ishte preliminar për vendosjen e fituesit të zgjedhjeve në atë që u quajt fitorja e Partisë Demokratike, rikthimi i dytë i Berishës në pushtet.
Kështu që është shumë e vërtetë, Durrësi ka 14 deputetë, sigurisht që gara është e fortë, e ngushtë dhe unë gjykoj se jo pa qëllim e kam zgjedhur këtë qark për të kandiduar, do ta kisha shumë lehtë për të kandiduar në Tiranë sepse e gjithë karriera ime është në Tiranë, por unë kam zgjedhur qytetin tim të lindjes, ku kam mbaruar 8-vjeçaren, gjimnazin “Shote Galica”, në qytetin e Fushë-Krujës, që rëndom thuhet që është qyteti i tritolit, po të shikoni këto kronikat. Por unë sfidoj të gjithë ata që: a ka një qytet tjetër që e ka vizituar Presidenti i Amerikës në 10 qershorin e vitit 2007, ku media atëherë antikombëtare për mendimin tim na tha që i kishin vjedhur orën, ndërkohë që ai orën e hoqi sepse theu protokollin që të përqafonte njerëzit.
Dhe një vizitë tjetër është shumë interesante, ka qenë Papa i Vatikanit në qytetin e Fushë-Krujës.
Fushë-Kruja është njësi administrative, nuk është më bashki, prej 10 vitesh është kthyer në njësi administrative, 50 mijë banorë, kemi qenë bashki, prej 10 vitesh harta territoriale që unë e quaj hartë elektorale na ktheu në njësi administrative dhe ne jemi sot me Bashkinë Krujë.
Prandaj iniciativa ime e parë nëse unë do të jem në Kuvendin e Shqipërisë do të jetë pikërisht kjo: ta kthejmë Fushë-Krujën në bashki, ashtu siç ka qenë, edhe Kruja bashki, edhe Fushë-Kruja bashki.