
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton se në periudhën janar–gusht 2025 ka mbledhur gjithsej 713.3 milionë euro të hyra, duke tejkaluar të njëjtën periudhë të vitit 2024 për 71.2 milionë euro.
Sipas ATK-së, kjo rritje tregon një trend të qëndrueshëm të të hyrave tatimore dhe reflekton përkushtimin e institucionit në zbatimin e ligjit, si dhe vetëdijen gjithnjë e më të lartë të tatimpaguesve për përmbushjen e obligimeve.
“Të hyrat e rritura janë të rëndësishme për stabilitetin fiskal, pasi sigurojnë më shumë mjete për investime publike, zhvillim ekonomik dhe përmbushjen e nevojave të qytetarëve. Ky rezultat dëshmon se partneriteti ndërmjet ATK-së dhe tatimpaguesve po jep rezultate të prekshme dhe afatgjata,” thuhet në njoftim.
ATK rikujton se qëllimi i saj është edukimi dhe ndërgjegjësimi i tatimpaguesve, duke investuar në trajnime, fushata informuese dhe shërbime digjitale për të lehtësuar përmbushjen e obligimeve tatimore.