ATK mbledh mbi 693 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të 2025-ës, rritje prej 11% në të hyrat tatimore

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka arritur të inkasojë mbi 524 milionë euro në të hyra tatimore gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej rreth 51 milionë euro, apo 11 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kështu bëri të ditur drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një konferencë për media të enjten, më 10 korrik. Ai theksoi se institucioni që ai drejton ka vazhduar me përkushtim në zbatimin e prioriteteve strategjike: rritjen e mbledhjes së të hyrave, luftimin e informalitetit, avancimin teknologjik dhe përmirësimin e kulturës tatimore në vend.
“ATK ka vazhduar me përkushtim të zbatojë prioritetet strategjike…Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 kemi inkasim të të hyrave tatimore mbi 524 milionë euro, që do të thotë kemi rritur të hyrat për mbi 51 milionë apo rreth 11 për qind në raport me vitin paraprak”, tha Murtezaj.
Përveç të hyrave tatimore, ATK ka mbledhur gjithashtu afër 170 milionë euro nga kontributet pensionale, duke e çuar totalin e mbledhjeve për këtë periudhë në 693.8 milionë euro.
“Edhe tek kontributet pensionale shihen të dhëna që pasqyrojnë progres të vazhdueshëm”, u shpreh Murtezaj.
I pyetur për ndikimin e vendimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ndaj bizneseve, Murtezaj tha se ATK-ja nuk ka mandat humanitar:
“ATK nuk është as organizatë humanitare, as mbështetëse për të ndihmuar me financa askënd. Ne jemi për të mbledhur të hyra tatimore,” tha ai.
Ai foli edhe për problemet me pajisjet fiskale, duke theksuar se aktualisht vetëm në Pejë mund të servisohen këto pajisje, por se operatorët janë të obliguar të ndihmojnë në lehtësimin e procesit. Në rast të neglizhencës, ATK do të marrë masa ndëshkuese.
Murtezaj përmendi gjithashtu edhe reformën në procesin e fiskalizimit, e cila sipas tij është në fazën përfundimtare të implementimit. Ai tha se kjo reformë, e iniciuar nga ministri i Financave Hekuran Murati dhe e mbështetur financiarisht nga UNDP, do ta zhvendosë sistemin e fiskalizimit nga qasja harduerike në atë softuerike.
“Është zhvilluar moduli apo aplikacioni që krijon një qasje të re të fiskalizimit, e cila është shumë më fleksibile dhe e avancuar”, theksoi ai.