Atird Hoxha voton në Vlorë: “Sot vendoset e ardhmja”, sfidë qarkullimi për shkak të Giro d’Italia

Kandidati për deputet në Qarkun Vlorë, Atird Hoxha, ka ushtruar të drejtën e votës këtë të diel në qendrën e votimit pranë shkollës Industriale në qytetin e Vlorës. I shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy fëmijët, Hoxha ka përcjellë edhe një thirrje për qytetarët.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Vlorës të dalin masivisht për të votuar. Sot është dita kur vendoset e ardhmja,” u shpreh ai për mediat pas votimit.
Ndërkohë, zhvillimi i etapës së sotme të garës ndërkombëtare të çiklizmit Giro d’Italia, e cila kalon pikërisht në qytetin bregdetar, ka krijuar vështirësi në qarkullimin normal të automjeteve. Kjo ka sjellë vonesa dhe pengesa për qytetarët që synojnë të shkojnë drejt qendrave të votimit, veçanërisht në zonat pranë bregut dhe rrugëve kryesore.
Autoritetet lokale kanë bërë apel për durim dhe mirëkuptim, ndërsa nënvizojnë rëndësinë e pjesëmarrjes në votime pavarësisht sfidave të përkohshme në qarkullim.