Rajoni

ASH akuzon Qeverinë për diskriminim të gjuhës shqipe: “Strategji e qëllimshme për margjinalizimin e shqiptarëve”

Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Ziadin Sela, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, të cilën e cilëson si “monoetnike”, duke e akuzuar për ndjekjen e një strategjie të qëllimshme dhe të vazhdueshme për margjinalizimin e shqiptarëve.

Në një kumtesë për media, ASH thekson se mosrespektimi i gjuhës shqipe nuk është më thjesht neglizhencë, por një politikë shtetërore diskriminuese, që sipas tyre buron nga mungesa e vullnetit politik për barazi reale dhe respekt të ndërsjellë.

“Këto veprime janë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj një prej shtyllave themelore të identitetit shqiptar – gjuhës shqipe – dhe nuk mund të kalojnë pa reagim”, thuhet në deklaratën e partisë. Sipas ASH-së, heqja e shqipes nga tabelat, dokumentet zyrtare dhe komunikimi publik përbën mohim të bashkëjetesës dhe nxitje të ndasive etnike, duke rrezikuar stabilitetin dhe kohezionin shoqëror në vend.

ASH i bën thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Avokatin e Popullit, që të reagojnë ndaj këtij, siç e cilësojnë ata, diskriminimi të organizuar. “Shqipja nuk është gjuhë e huaj në këtë vend – është gjuhë e popullit autokton”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button