Sport

Arsenali nis me fitore turneun parasezonal, mposht Milanin në Singapor

Arsenali ka nisur me këmbë të mbarë përgatitjet për sezonin e ri, duke regjistruar një fitore të rëndësishme në ndeshjen e parë miqësore të turneut veror që po zhvillohet në Singapor. “Topçinjtë” triumfuan me rezultat minimal 1-0 ndaj gjigantëve italianë të AC Milanit, në një përballje që shërbeu si test për trajnerët dhe lojtarët në prag të sfidave zyrtare që i presin në gusht.

Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 53-të nga ylli anglez Bukayo Saka, pas një aksioni të mirë të ndërtuar në zonën e kuqezinjve. Me këtë realizim, Saka tregoi se është në formë të shkëlqyer dhe pritet të jetë sërish ndër pikat kyçe të skuadrës së Mikel Artetas për sezonin e ardhshëm në Premier League.

Pavarësisht se pjesa e parë përfundoi pa gola, Arsenali dominoi në të dyja fraksionet e lojës, duke mbajtur kontrollin dhe duke krijuar më shumë raste të rrezikshme. Ndërkohë, Milani, i udhëhequr nga trajneri Massimiliano Allegri, u paraqit me një formacion të përzier mes titullarëve dhe të rinjve, ku u vu re mungesa e qartësisë në lojën ofensive.

Në këtë ndeshje debutoi edhe mesfushori Samuele Ricci për skuadrën italiane, ndërsa yje si Christian Pulisic dhe Rafael Leao mbetën të izoluar në mungesë të furnizimeve nga prapavija.

Për Arsenalin, kjo fitore është inkurajuese, pasi ekipi do të përballet së shpejti me kundërshtarë të tjerë të fortë si Tottenham Hotspur dhe Villarreal, si pjesë e përgatitjeve verore. Ndërkohë, AC Milan do ta vazhdojë turin në Azi me ndeshje ndaj Liverpool dhe Perth Glory.

Fitorja ndaj një rivali me emër si Milani i jep Arsenalit një shtysë psikologjike për të hyrë i motivuar në sezonin e ri, ku objektivi kryesor mbetet titulli kampion në Angli.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button