Arsenali dhe PSG përballen sonte në një përplasje gjysmëfinale të zjarrtë në Ligën e Kampionëve – Ja kush është favorit sipas superkompjuterit të Opta-s

Arsenali dhe Paris Saint-Germain do të zbresin sot në fushë për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, me fillim nga ora 21:00. Sfida pritet të jetë spektakolare, ndërsa të dy skuadrat synojnë të sigurojnë një vend në finalen e madhe.
Statistikat flasin për PSG-në
Skuadra franceze ka treguar formë të shkëlqyer në udhëtim, duke shënuar golin e parë në secilën prej pesë ndeshjeve të fundit si mysafire në këtë kompeticion. Kjo statistikë tregon qartë se PSG-ja vjen e motivuar dhe e rrezikshme edhe jashtë fushës së saj.
Probleme për Arsenalin, luks për PSG-në
Trajneri Mikel Arteta do të duhet të bëjë llogaritë pa disa lojtarë kyç. Thomas Partey është i pezulluar, ndërsa Ben White mbetet në dyshim. Mungesa të tjera të rëndësishme janë edhe ato të Riccardo Calafiorit, Gabriel Magalhaes, Gabriel Jesusit, Kai Havertzit, Jorginhos dhe Takehiro Tomiyasu-t. Arteta shpreson që Mikel Merino të rikthehet në kohë për të nisur ndeshjen nga minuta e parë.
Në anën tjetër, trajneri i PSG-së, Luis Enrique, ka luksin të ketë të gjithë lojtarët në dispozicion, pa asnjë mungesë për shkak të lëndimeve apo pezullimeve.
Kush është favorit sipas superkompjuterit të Opta-s?
Pas eliminimit të Real Madridit, Arsenali ka marrë statusin e favoritit për ta fituar Ligën e Kampionëve për herë të parë në histori, me 31.3 për qind shanse sipas modelit të superkompjuterit të Opta-s.
PSG renditet si pretendent i tretë me 22.0 për qind, pas Barcelonës që ka 27.4 për qind. Modeli i Opta-s funksionon duke analizuar rezultatet e mundshme përmes simulimeve të shumta dhe duke u bazuar në renditjet e ekipeve dhe performancat e tyre historike e aktuale.
Gara është e hapur, por sonte do të shihet kush e bën hapin e parë drejt finales së madhe.