Lajme

Arrestohet një person për vrasjen e Renato Hoxhajt në Vlorë – Dyshohet për ndihmë ndaj ekzekutorit

Një person është vënë në pranga nga Policia e Tiranës në kuadër të hetimeve për zbardhjen e vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, ngjarje e ndodhur në Vlorë. Burime zyrtare bëjnë me dije se në pranga ka rënë Erlis Mehmeti, me origjinë nga Tropoja, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorin e krimit.

Sipas hetimeve të Policisë së Vlorës, është identifikuar automjeti me të cilin është larguar autori pas ngjarjes, dhe rezulton se kjo makinë i ishte dorëzuar nga Mehmeti para se të kryhej vrasja. Gjithashtu, targat e mjetit ishin ndërruar për të fshehur gjurmët. Gjatë kontrollit ndaj tij, policia ka sekuestruar edhe një aparat celular, nga i cili priten të dhëna të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Burime nga grupi hetimor theksojnë se Mehmeti nuk është personi që ka kryer ekzekutimin, por ka pasur rol ndihmës në organizimin e vrasjes. Dyshohet se bëhet fjalë për një krim me pagesë, i porositur nga Dubai.

Pista kryesore hetimore lidhet me faktin se viktima, Renato Hoxhaj, mund të ketë dhënë informacione për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur disa vite më parë, çka mund të ketë çuar në ekzekutimin e tij.

Ndërkohë, kontrolle janë zhvilluar edhe në zonën e Ksamilit, pasi dyshohet se autori i vrasjes është larguar jashtë vendit përmes Greqisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button