Lajme

Arrestohet në Morinë një 55-vjeçar serb i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania

Një 55-vjeçar serb është ndaluar nga Policia Kufitare në pikën e kalimit në Morinë, pasi rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane.

Policia e Shtetit bëri të ditur se gjatë verifikimeve të kryera dhe nëpërmjet shkëmbimit të informacionit me partnerët gjermanë, përmes Interpol Tiranës, u konstatua se shtetasi G. S., 55 vjeç, ishte i kërkuar nga Gjykata e Mainz, me masë sigurie “Arrest në burg”. Ai akuzohet për evazion fiskal dhe përfitim të kundërligjshëm të pagave apo shpërblimeve të të tjerëve.

“Ky shtetas tentoi të hynte në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që kërkohej nga autoritetet gjermane për krime ekonomike. Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje, u bë ndalimi i tij në bashkëpunim mes Policisë Kufitare të Morinës dhe DVP Kukës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Aktualisht, Interpol Tirana po vijon procedurat me homologët gjermanë për ekstradimin e 55-vjeçarit drejt Gjermanisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button