Arrestohet në Mbretërinë e Bashkuar një shqiptar i kërkuar ndërkombëtarisht, pritet ekstradimi në Shqipëri

Një operacion i përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve britanike ka çuar në arrestimin e shtetasit shqiptar Ervis Vrenozi, 39 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi është bërë i mundur në kuadër të operacionit policor të koduar “Akuzat”.
Ervis Vrenozi ishte dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier në vitin 2020 me 5 vjet e 4 muaj burgim për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Operacioni është realizuar falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale dhe bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Mançesterit.
Autoritetet përkatëse janë në proces të finalizimit të procedurave ligjore për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit të dhënë nga gjykata.