Arrestohen dy persona për fajde, shpëlarje parash dhe kanosje në Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona nën dyshimet për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë fajde, shpëlarje parash, kanosje, falsifikim dokumentesh dhe mashtrim.
Burime të Insajderit bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Bekim Mehmeti (46 vjeç) dhe Qendrim Marevci (33 vjeç). Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, ata janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa hetimet për këtë rast po vazhdojnë.
Operacioni hetimor u zhvillua me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe përfshiu kontrollin e katër lokacioneve – shtëpi, banesa dhe biznese të dyshuarve. Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar dëshmi materiale, të cilat do të përdoren në procedurën penale.
“Policia e Kosovës, respektivisht hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas zhvillimit të veprimeve hetimore me urdhër të Prokurorisë Speciale, kanë arrestuar B.M. dhe Q.M. nën dyshimet për kryerjen e veprave penale të fajdesë, shpëlarjes së parave, kanosjes, falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Policia dhe Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë trajtimin e informatave dhe dyshimeve me profesionalizëm, me qëllim që personat përgjegjës të vihen para drejtësisë.