Sport

Ardon Jashari i vendosur për Milanin, “jo” gjigantëve tjerë europianë

Ardon Jashari po luan me vendosmëri të gjitha kartat për të realizuar transferimin e ëndrrave te Milani. Ylli shqiptar, aktualisht pjesë e Club Brugge, ka bërë të qartë se dëshiron vetëm “Rossonerët” nëse largohet gjatë kësaj vere nga Belgjika.

Mediat italiane raportojnë se Milani ka avancuar ndjeshëm në bisedimet për transferimin e mesfushorit 22-vjeçar, duke ofruar 38 milionë euro, përfshirë bonuset. Tani topi është në fushën e Club Brugge, që e zotëron kartonin e lojtarit dhe kërkon mbi 40 milionë euro për ta lëshuar.

Përkundër interesimit nga klubet e mëdha si Borussia Dortmund, Manchester United, Manchester City, Paris Saint-Germain dhe Bayer Leverkusen, përfaqësuesi i Zvicrës me origjinë shqiptare ka vendosur t’u thotë “jo” të gjithëve – në mendjen e tij është vetëm Milani, shtatë herë kampion i Evropës.

Kuqezinjtë tashmë i kanë ofruar një kontratë pesëvjeçare me pagë 2.8 milionë euro në sezon, ofertë që Jashari e ka pranuar. Mbetet vetëm që drejtuesit e klubit belg të japin dritën jeshile për mbylljen e marrëveshjes.

Jashari është bërë prioritet absolut për trajnerin Massimiliano Allegri, i cili e sheh atë si pjesë kyçe të mesfushës së re, së bashku me Luka Modric dhe Samuele Ricci.

Milani nuk e ka ndalur këtu ofensivën në merkato – objektiv tjetër i klubit është edhe mesfushori tjetër shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka. Kapiteni i Bayer Leverkusen e ka dhënë miratimin për transferim në San Siro, por klubi gjerman ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij.

Nëse të gjitha këto lëvizje realizohen, Milani pritet të formojë një treshe mesfushore me ndikim të madh shqiptar.

 

 

 

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button