Ardian Ismajli zyrtarizohet sot te klubi i ri në Torino

Qendërmbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Ardian Ismajli, pritet të bëhet zyrtarisht pjesë e klubit të ri në Torino gjatë ditës së sotme.
Futbollisti 28-vjeçar ka mbërritur në orët e para të mëngjesit në Torino, ku po i nënshtrohet testeve mjekësore. Nëse gjithçka shkon sipas planit, ai do të nënshkruajë një kontratë trevjeçare me klubin torinez, me mundësi rinovimi edhe për një vit tjetër.
Sipas mediave italiane, Ismajli do të përfitojë 1.1 milionë euro në vit, pa llogaritur bonuset që mund të rrisin të ardhurat e tij.
I lindur në vitin 1996, Ismajli i kaloi sezonet e fundit me Empolin, por u largua nga skuadra pas rënies nga Serie A. Ai ishte lojtar i lirë pas skadimit të kontratës dhe transferimi i tij në Torino nuk kërkon kompensim financiar.
Gjatë karrierës së tij në elitën e futbollit italian, mbrojtësi ka zhvilluar 117 ndeshje, ka realizuar një gol dhe ka dhënë dy asistime. Transferimi i tij në Torino shihet si një hap i rëndësishëm në karrierën e tij.