Sport

Arbër Zeneli: “Synimi im është të luaj për Kosovën, por ende ka çështje të pazgjidhura me FFK-në”

Arbër Zeneli, një nga futbollistët më të rëndësishëm të Kombëtares së Kosovës, ka folur hapur për situatën e tij me përfaqësuesen “dardane”. Sulmuesi 30-vjeçar, i cili ka regjistruar 33 paraqitje dhe 9 gola me Kosovën, tha për mediat suedeze se gjithmonë ka dëshirë të luajë për vendin e tij, por mes tij dhe Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ende ekzistojnë disa mosmarrëveshje.

“Synimi për të luajtur për Kosovën gjithmonë ekziston. Por mes meje dhe FFK-së ka disa çështje të pazgjidhura. Do të shohim si do të rrjedhin gjërat,” u shpreh Zeneli, duke shtuar se problemi ka lindur rreth dy vite më parë, por pa dhënë detaje konkrete.

I pyetur nëse mungesat e tij te Kombëtarja lidhen me mosftesën apo me vendim personal, Zeneli tha se arsyeja është “pak nga të dyja”. Ai shtoi se dëshiron të diskutojë situatën me personat e përfshirë dhe se mund të ketë qenë një keqkuptim.

Megjithatë, Zeneli theksoi se është i gatshëm të rikthehet te Kosova nëse palët arrijnë të sqarojnë situatën. “Absolutisht. Kosova është kombëtarja ime, ishte zgjedhja ime kur isha 20-21 vjeç, sepse ata kishin një vizion. Shpresoj që të qëndrojnë besnikë ndaj atij vizioni,” tha ai.

Një tjetër fakt interesant është se vëllai i tij, Besfort Zeneli, tashmë luan për Kombëtaren e Suedisë, gjë që mund të sjellë një përballje të rrallë mes dy vëllezërve në nivel ndërkombëtar.

Kosova dhe Suedia do të përballen sonte në Prishtinë në kuadër të grupit për kualifikimet e Kupës së Botës 2026, ndërsa rivali do të presë Kosovën më 13 tetor në “Ullevi” të Goteborgut.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button