Arben Gashi: “Kosova rrezikon të shndërrohet në shtet të dështuar” – Bën thirrje për kompromis kombëtar

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka ngritur alarmin për situatën politike në vend, duke e cilësuar të rrezikshme dhe me pasoja serioze për funksionimin e shtetit. Në një deklaratë publike, ai ka thënë se Kosova është në prag të shndërrimit në një “shtet të dështuar” për shkak të mungesës së kompromisit dhe dialogut politik.
“Kosova po rrezikon të shndërrohet në një shtet të dështuar për shkak të paaftësisë për kompromis, mungesës së dialogut politik, egove personale dhe ambicieve të shfrenuara për pushtet,” ka theksuar Gashi.
Ai ka bërë thirrje që klasa politike të lërë mënjanë interesat personale dhe të veprojë me përgjegjësi kombëtare. “Kompromisi është urgjencë kombëtare. Nuk ka më kohë për të humbur,” ka shtuar ai.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës ka dështuar për të 43-tën herë me radhë të konstituohet, duke thelluar edhe më tej ngërçin institucional që ka përfshirë vendin pas zgjedhjeve të fundit.