Apple Pay tani zyrtarisht i disponueshëm në Kosovë — një hap i rëndësishëm për ekonominë digjitale

Shërbimi i njohur ndërkombëtar i pagesave Apple Pay është bërë tashmë i disponueshëm zyrtarisht në Kosovë, duke hapur rrugën për pagesa më të shpejta, të sigurta dhe pa kontakt për qytetarët dhe bizneset në vend.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë e ka cilësuar këtë lajm si një moment historik dhe një zhvillim kyç për ekonominë digjitale të vendit. Në një reagim zyrtar, ambasada theksoi se ky hap përforcon praninë e kompanive amerikane dhe rrit atraktivitetin e Kosovës për investitorët nga SHBA-ja.
“Lajm i madh për ekonominë digjitale të Kosovës: Apple Pay tani është zyrtarisht i disponueshëm! Ky zhvillim pasqyron rolin në rritje të kompanive amerikane që investojnë në të ardhmen e Kosovës dhe ndihmon në avancimin e qëllimeve për rritje ekonomike, përfshirje financiare dhe modernizim digjital,” thuhet në komunikatën e ambasadës.
Nga ana tjetër, Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se implementimi i plotë i këtij shërbimi për të gjitha bankat dhe institucionet financiare do të bëhet gradualisht, në përputhje me marrëveshjet dhe integrimet teknike që do të realizohen mes tyre.
Përmes Apple Pay, përdoruesit në Kosovë mund të lidhin kartelat e tyre bankare me platformën dhe të kryejnë pagesa të siguruara përmes pajisjeve Apple, si iPhone apo Apple Watch, duke përmirësuar ndjeshëm eksperiencën digjitale të pagesave.
Ky zhvillim pritet të nxisë më tej përfshirjen financiare dhe të mbështesë ekonominë dixhitale në Kosovë.