Lajme
Kryesore

Apeli vendos sot për Xhaçkën dhe bashkëshortin – SPAK kërkon të mos hetojë, Beleri insiston për drejtësi

Gjykata e Posaçme e Apelit pritet të dalë me një vendim përfundimtar këtë të premte, më 25 prill, lidhur me ankimin e bërë nga SPAK për të mos nisur hetimet ndaj ish-ministres Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi. Seanca është caktuar të zhvillohet në orën 10:00 të paradites.

Prokuroria e Posaçme ka ankimuar vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, e cila më 1 prill 2025 urdhëroi regjistrimin e kallëzimit penal dhe nisjen e hetimeve ndaj çiftit Xhaçka-Gaçi, për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale të kryer në bashkëpunim.

Kallëzimi penal u bë nga eurodeputeti Fredi Beleri, i cili kundërshtoi vendimin e SPAK-ut të datës 27 dhjetor 2024 për të mos nisur hetimet ndaj çiftit. Sipas Belerit, vendimi për të mos proceduar penalisht ishte i padrejtë dhe kërkoi që çështja të rihapej, për shkak të dyshimeve serioze mbi përfshirjen e tyre në parregullsi ligjore lidhur me ndërtimin e një resorti në bregdet, i shpallur nga qeveria si “investim strategjik”.

Urdhri për hetim u lëshua nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, e cila e konsideroi të justifikuar kërkesën e Belerit dhe detyroi SPAK-un të ndërmarrë veprimet përkatëse procedurale.

Vendimi i Apelit që pritet sot do të jetë vendimtar për ecurinë e mëtejshme të kësaj çështjeje të ndjeshme, që ka ngjallur reagime të forta publike dhe politike.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button