Apeli refuzon kërkesat e Pjetër Shalës, e lë në fuqi dënimin prej 18 vjetësh

Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka rrëzuar shumicën dërrmuese të argumenteve të ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, i dënuar më parë me 18 vjet burg për krime lufte në Kukës. Përmes mbrojtjes, Shala kishte kërkuar lirimin ose kthimin e çështjes për rigjykim, por kërkesa e tij u refuzua pothuajse në tërësi.
Paneli i Apelit konstatoi se Shala nuk kishte arritur të provojë dëmin e pretenduar për vonesën në nxjerrjen e provave lidhur me një dëshmitar kyç, ndërsa e cilësoi të pavlefshëm edhe ankesën për kufizimin e dëshmitarëve nga mbrojtja, duke theksuar se Shala kishte hequr dorë nga kjo e drejtë në kohën e duhur.
Nga të gjitha pikat e Apelit të paraqitura nga mbrojtja, u pranua vetëm një pjesërisht: vendimi fillestar për fajësinë e Shalës për torturë ndaj pesë personave dhe ndalim arbitrar ndaj dy të tjerëve ishte marrë në shkelje të një rregulle procedurale, por kjo nuk ndryshon esencën e aktgjykimit.
Gjykata rrëzoi gjithashtu pretendimet se janë shkelur të drejtat e tij për një proces të rregullt, përfshirë pretendimet për përdorimin e padrejtë të deklaratave të autoriteteve belge dhe shkeljen e parimit të ligjshmërisë.
Shala, i cili e ka ndjekur seancën përmes video-konference, ishte shpallur fajtor në korrik të vitit 2024 për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme të kryera në Fabrikën e Metalit në Kukës, ku sipas aktakuzës, ishin ndaluar dhe keqtrajtuar civilë të dyshuar për bashkëpunim me Serbinë.
Gjykata urdhëroi gjithashtu Shalën të paguante 208 mijë euro dëmshpërblim për tetë viktima. Ai ishte shpallur i pafajshëm vetëm për akuzën e trajtimit çnjerëzor.
Vendimi për zhdëmtimin e viktimave, i cili po ashtu është apeluar nga mbrojtja, nuk është përfshirë në këtë aktgjykim përfundimtar të Apelit.