KryesoreLajme
Kryesore

Apeli i Posaçëm nxiton të mbyllë dosjen Xhaçka: Seanca e SPAK shtyhet mes akuzave për favorizim dhe shkelje procedurash

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka nxituar në mënyrë të paprecedentë për të mbyllur dosjen për hetimin e Olta Xhaçkës. Pasi gjykata e shkallës së parë urdhëroi SPAK që të hetonte deputeten socialiste dhe ish-ministren e Edi Ramës, SPAK ankimoi rrëzimin e këtij vendimi, e Gjykata e Apelit në një kohë rekord nisi shqyrtimin e kërkesës për të mos hetuar Olta Xhaçkën dhe bashkëshortin e saj Artan Gaçi. Gjykata e Posaçme e Apelit përmes një procedurë rekord kohore ka hedhur shortin, ka caktuar gjyqtaren dhe madje ka shpallur edhe datën e shqyrtimit ë ankimit të SPAK për të hetuar Olta Xhaçkën dhe bashkëshortin e saj Artan Gaçi. Organi hetues kundërshtoi vendimin e gjyqtares Flora Hajredinaj që urdhëronte SPAK të hetonte çiftin e bashkëshortëve për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentash dhe pastrim parash. Seanca ishte lënë për këtë të premte në orën 10:00, e cila u shty për në 8 maj për shkak se një nga avokatët nuk mori pjesë në seancë.

Prokurori Ols Dado, thotë se ka kryer veprime të shumta hetimore, të cilat kanë konsistuar ndër të tjera edhe në veprimtarinë e kryer nga shtetasi Artan Gaçi në kuadër të bashkëpunimit të supozuar apo dhe qoftë dijenisë së tij rreth ekzistencës së dokumenteve të falsifikuara, nëpërmjet të cilëve është përfituar edhe toka e llojit truall mbi 10 mijë m2 ku Gaçi fitoi edhe statusin e “Investitorit Strategjik” nga qeveria Rama. Organi i akuzës ndër të tjera sqaron se asnjë e dhënë e sipërfaqeve konkrete nuk ka rezultuar në lidhje me përfitimin e trojeve të sekuestruara apo konfiskuara për shkak të detyrës që ushtronte në atë periudhë subjekti i posaçëm Olta Xhaçka.

Prokuroria e shprehet se vendimi i GJKKO është i pambështetur në ligj dhe në prova, i cënueshme dhe si i tillë duhet të ndryshohet në tërësinë e tij. Por çfarë përmbante vendimi i gjyqtares Flora Hajredinaj? Gjykata e Shkalles se Parë thotë se Olta Xhaçka, me mosveprimet e saj, duke mos deklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor, të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit, nuk i takojnë.

Kjo shtetase, nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore. Kallëzimi u bë nga eurodeputeti Fredi Beleri, teksa GJKKO dënoi me burg për këtë çështje ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goron e disa zyrtarë vendor, por SPAK shmangu fajësimin e çiftit Xhaçka-Gaçi. Beleri u ankimua dhe Shkalla e Parë i dha të drejtë, teksa çështja pritet të vendoset në Apel, ku nëse lë në fuqi vendimin e Hajredinit, SPAK do detyrohet të hetojë ish-ministren e jashtme dhe bashkëshortin e saj.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button