Apeli i Pjetër Shalës: Gjykata Speciale shpall aktgjykimin më 14 korrik

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) ka caktuar datën 14 korrik 2025 për shpalljen e aktgjykimit të apelit në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës. Seanca do të mbahet në orën 11:30, sipas orës së Europës Qendrore.
Ky vendim shënon një ndryshim nga caktimi i mëhershëm. Fillimisht, shpallja e aktgjykimit ishte planifikuar për 15 korrik 2025, në orën 10:00, por më 8 korrik, Gjykata Speciale bëri të ditur se seanca është shtyrë për një ditë më herët.
Seanca do të jetë publike dhe e qasshme në gjuhët shqipe, serbe dhe angleze përmes transmetimit të drejtpërdrejtë në faqen zyrtare të DHSK-së, me një vonesë prej 10 minutash, si dhe përmes galerisë për publikun në ambientet e gjykatës në Hagë.
Në korrik të vitit 2024, Pjetër Shala ishte shpallur fajtor nga Dhomat e Specializuara për krime lufte dhe ishte dënuar me 18 vjet burgim. Ai u gjet fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën 17 maj – 5 qershor 1999 në Fabrikën e Metalit në Kukës, për torturë si krim lufte ndaj së paku 18 personave, dhe për vrasje të paligjshme si krim lufte ndaj një personi.
Aktualisht, Shala ndodhet në fazën e Apelit, pasi mbrojtja ka paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në këtë çështje.