Kosova

Apel për kujdes gjatë verës – MPB paralajmëron për rrezikun nga zjarret dhe ndëshkimet ligjore

Agjencia e Menaxhimit Emergjent u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë muajve të verës, kur temperaturat e larta rrisin ndjeshëm rrezikun për përhapjen e zjarreve në pyje, fusha dhe hapësira të hapura.

Në një apel të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), theksohet se zjarret shkaktojnë dëme të mëdha materiale, ndotin ajrin, shkatërrojnë natyrën dhe paraqesin kërcënim serioz për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

MPB rikujton se zjarrvëniet, qofshin të qëllimshme apo si pasojë e pakujdesisë, përbëjnë vepra penale dhe sanksionohen me ligj.

“Çdo person që shkakton zjarr, duke dëmtuar pronën publike apo private, ose duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe mjedisin, përballet me ndjekje penale dhe masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Agjencia ka vënë në dispozicion edhe numra kontaktues për qytetarët që duan të raportojnë raste të dyshimta ose zjarrvënie të mundshme.

Autoritetet apelojnë për përgjegjësi kolektive dhe bashkëpunim për të parandaluar pasojat e rënda që sjellin zjarret gjatë kësaj periudhe.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button