Sport

Anton Cena i sjell medalje Kosovës në Lojërat Botërore të Policisë, përkundër lëndimit: “Çdo fitore është poezi e shkruar me djersë dhe zemër”

Anton Cena, veterani i njohur i sportit të xhudos dhe pjesëtar i Policisë së Kosovës, po vazhdon ta bëjë krenar jo vetëm institucionin që përfaqëson, por gjithë shtetin e Kosovës dhe shqiptarët anembanë botës. Pas medaljes së artë në xhudo, Cena ka fituar edhe medaljen e argjendtë në Brazilian Jiu-Jitsu (BJJ-Jujitsu), në kuadër të Lojërave Botërore për Policë, Doganierë, Korrektues dhe Zjarrfikës, që po mbahen në Birmingham, Alabama, SHBA.

Pavarësisht lëndimit serioz në krahëror dhe dhimbjeve të mëdha fizike, Cena nuk u dorëzua. Ai luftoi me përkushtim deri në fund, duke dëshmuar se vendosmëria e tij është më e fortë se çdo pengesë. Edhe pse ky lëndim mund t’ia pamundësojë pjesëmarrjen në garat e notit, Cena ka paralajmëruar se do ta sfidojë veten edhe në këtë disiplinë.

Në një postim emocionues në rrjete sociale, Cena thekson:

“Megjithëse krahërori më dhimbte dhe zëri i lëndimit më paralajmëronte të tërhiqesha, unë zgjodha të luftoj me çdo atom të qenies sime, sepse fitoret e mëdha nuk vijnë nga komoditeti, por nga sfidat që thyhen me vendosmëri.”

Cena ka qenë ambasador i denjë i Kosovës që nga viti 2012, duke fituar dhjetëra medalje në emër të shtetit dhe Policisë së Kosovës. Ai përmendi edhe rrëzimin e tij nga biçikleta vetëm një javë para garës, që në vend se ta ndalte, u bë një shtysë për të treguar se “kur zemra është e vendosur, dhimbja bëhet një shok i heshtur.”

Në fund të postimit të tij, kampioni kosovar shprehu mirënjohje të thellë për përkrahësit, ish-kadetët, miqtë dhe veçanërisht për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, dhe Shoqatën Sportive të Policisë së Kosovës. Ai e përmbylli mesazhin me fjalët:

“Çdo njeri mund të jetë një hero në fushën ku gjendet, dhe së bashku, me pasion dhe përkushtim, ne krijojmë një shtet të fortë dhe të pathyeshëm.”

Pas triumfit në SHBA, sytë e Anton Cenës janë tashmë drejt Kampionatit Evropian të Policisë në Spanjë, ku ka fituar shtatë medalje të arta dhe një të argjendtë në të kaluarën. Ai e konsideron këtë jo si një udhëtim rekreativ, por si një tjetër mundësi për ta lartësuar emrin e Kosovës në sportin ndërkombëtar.

Anton Cena, kampioni që nuk ndalet. Ai që flet për Kosovën me medalje.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button