Ancelotti do të largohet nga Real Madrid në fund të sezonit, Xabi Alonso pritet të jetë pasuesi i tij

Sipas raportimeve të ‘The Athletic’, Carlo Ancelotti do të largohet nga drejtimi i Real Madridit në fund të këtij sezoni, edhe pse kontrata e tij skadon në qershorin e vitit të ardhshëm. Ky vendim është arritur mes drejtuesve të klubit dhe trajnerit italian, i cili do të mbyllë bashkëpunimin me Realin pas përfundimit të sezonit aktual, pavarësisht nëse ekipi fiton La Ligën ose Kupën e Mbretit.
Megjithatë, Ancelotti nuk do të kalojë një periudhë të gjatë pushimi, pasi ka shumë interes për të, me mundësinë që të udhëheqë kombëtaren e Brazilit. Synimi i tij do të jetë të fitojë Botërorin e vitit 2026, duke sjellë sukses për “5 herë kampionët e botës”.
Përsa i përket Real Madridit, thuhet se trajneri i ri do të jetë Xabi Alonso. Ai pritet të ndahet nga Bayer Leverkusen në fund të sezonit dhe të kthehet në Madrid, këtë herë jo si lojtar, por si trajner i ri i “Los Blancos”.