Sport

Amir Rrahmani drejt rinovimit afatgjatë me Napolin, refuzon oferta nga klubet e mëdha

Qendërmbrojtësi i Napolit dhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, pritet të vazhdojë bashkëpunimin me klubin italian për disa vite të tjera.

Sipas raportimeve nga “CalcioNapoli24”, palët janë në fazën finale të diskutimeve dhe po analizojnë detajet ekonomike të marrëveshjes së re. Kontrata e re e Rrahmanit pritet të jetë e vlefshme deri në qershor të vitit 2029, duke e bërë atë një nga lojtarët më të rëndësishëm afatgjatë në planet e Napolit.

“Një kontratë afatgjatë për mbrojtësin që e konsideron Napolin si shtëpinë e tij”, ka shkruar mediumi italian.

Ky rinovim shihet edhe si shpërblim për besnikërinë e treguar nga Rrahmani, i cili ka refuzuar oferta të rëndësishme nga Tottenhami, klube të Arabisë Saudite, si dhe disa klube gjermane e italiane.

Amir Rrahmani iu bashkua Napolit në vitin 2020 nga Verona për 14 milionë euro, dhe që prej atëherë është bërë një shtyllë e mbrojtjes napolitane. Me klubin italian, ai ka fituar dy herë titullin e Serie A-së, duke shkruar një kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij.

Rrahmani, simbol i stabilitetit dhe lidershipit në mbrojtjen e Napolit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button