Kosova

Ambasadori i Suedisë: Duhen kompromise, edhe nëse je partia më e madhe

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se vendi duhet sa më parë të krijojë të gjitha institucionet, duke bërë thirrje për nevojën e kompromisit mes partive politike.

Westerlund ka theksuar se politikanët duhet ta kenë parasysh se “kjo nuk është lojë” e se bëhet fjalë për t’i shërbyer popullit.

“Mendoj se të gjithë politikanët janë zgjedhur nga qytetarët dhe duhet ta kenë parasysh se kjo nuk është një lojë. Bëhet fjalë për t’i shërbyer popullit, dhe për këtë arsye duhet të ketë një qeveri. E kuptoj se nëse përfaqëson partinë më të madhe politike ose nëse ke shumicën në parlament, duhet të jesh në gjendje të formosh qeverinë dhe të vazhdosh me mandatin që të është dhënë. Por, sigurisht, duhet të zgjidhet edhe presidenti, dhe për këtë nevojiten kompromise”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur rastin e Rugovës, në kohën e pasluftës në Kosovë.

“Më është thënë se pas zgjedhjeve të para pas luftës së vitit 1999, presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, kur LDK-ja fitoi rreth 42–45% të votave, thuhet se kishte thënë ‘Tani mund ta formojmë qeverinë, mund ta zgjedhim presidentin dhe mund ta zgjedhim kryetarin e Kuvendit’. Dhe unë kuptoj se disa nga këshilltarët e tij të asaj kohe, përfshirë të ndjerin Alush Gashi, i kishin thënë ‘Shikoni, ne nuk e kemi shumicën. Nuk e kemi shumicën në parlament dhe nuk i kemi dy të tretat e votave për ta zgjedhur presidentin’. Pra, duhet të bëhen kompromise, edhe nëse je partia më e madhe politike”, tha ambasadori suedez. /EO

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button