Lajme

Ambasadori i BE, Silvio Gonzato, vëzhgon procesin zgjedhor: Ecuria e zgjedhjeve, thelbësore për integrimin europian

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, vizitoi sot një nga qendrat e votimit në qytetin e Durrësit, ku vëzhgoi nga afër procesin zgjedhor dhe dha një deklaratë për mediat. Ai theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se ky është një moment kyç që lidhet drejtpërdrejt me respektimin e të drejtave të njeriut.

Gonzato deklaroi se do të qëndrojë i rezervuar në komentet lidhur me ecurinë e zgjedhjeve, derisa të publikohet raporti dhe rekomandimet nga misioni i OSBE/ODIHR. Megjithatë, ai vuri në dukje se përfaqësues të vendeve anëtare të BE po ndjekin nga afër zgjedhjet në terren për të krijuar një panoramë sa më të qartë të situatës.

“Donim të shikonim se si po ecën procesi i zgjedhjeve edhe në qytetet e tjera. Kemi edhe kolegët e mi nga shtetet anëtare të BE që kanë dalë për të vëzhguar. Arsyeja nuk është se nuk kemi besim te OSBE/ODIHR, por sepse duam të kemi përvojën tonë, ta shikojmë nga afër, të dëgjojmë qytetarët dhe të kuptojmë si po shkon procesi në përgjithësi”, u shpreh Gonzato.

Ai kujtoi se këto janë zgjedhjet e para që zhvillohen pas çeljes së negociatave me BE-në dhe se zhvillimi i tyre në mënyrë të drejtë dhe transparente është kyç për vijimin e integrimit europian të vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button