Ambasadori i BE-së: Zgjedhjet e 11 majit vendimtare për integrimin e Shqipërisë në BE

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi edhe një herë rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit për procesin e integrimit të vendit në BE, duke i cilësuar ato si vendimtare në kontekstin e negociatave të hapura me Shqipërinë.
Gjatë një vizite paradite në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Gonzato u takua me kreun e institucionit, Ilirjan Celibashi, ku të dy palët vunë theksin te nevoja për zgjedhje me standarde dhe integritet të lartë.
“Siç e kam thënë edhe më parë, këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme sepse janë të parat pas çeljes së negociatave me Shqipërinë. Erdha të takoj Celibashin për të ofruar mbështetjen tonë të plotë ndaj KQZ-së, e cila deri tani ka bërë një punë të jashtëzakonshme,” u shpreh Gonzato.
Ambasadori i BE-së hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se qëndrimi i tij kishte për qëllim të targetonte Partinë Demokratike. Ai i quajti dezinformim lajmet që flisnin për ndërhyrje në raportin e ODIHR.
“Lajmi që kemi ndërhyrë në raportin e ODIHR për të hequr emra është totalisht i pavërtetë. ODIHR është tërësisht i pavarur dhe ne e respektojmë këtë. Mbështesim fuqimisht rekomandimet e tyre dhe mezi presim raportin përfundimtar,” tha ai.
Në të njëjtën linjë me ambasadorin, edhe kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi theksoi rëndësinë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standardet demokratike dhe u bëri apel partive politike që të tregojnë përgjegjshmëri.
“Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit europian dhe është thelbësore që partitë dhe institucionet të reflektojnë mbi rolin e tyre në garantimin e zgjedhjeve me integritet,” deklaroi Celibashi.