Ambasadori gjerman Rohde takim lamtumirës me Kurtin

Ambasada gjermane ka njoftuar se ambasadori Jörn Rohde është pritur në takim lamtumirës nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në ambientet e Kryeministrisë.
“Me rastin e lamtumirës së tij, Ambasadori Jörn Rohde u prit nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti. Ai e falënderoi atë për pesë vitet e tij të shërbimit të përkushtuar”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Edhe Zyra e Kryeministrit kishte informuar për këtë takim, duke theksuar se Kurti ka vlerësuar Gjermaninë si partner qendror të Kosovës në bashkëpunimin ekonomik dhe në rrugën drejt integrimit evropian. Ai ka veçuar fushat e bashkëpunimit si energjia, arsimi dhe mbrojtja e mjedisit, ndërsa në bisedë u prekën gjithashtu temat e sigurisë, bashkëpunimit me KFOR-in dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, arritje e shënuar gjatë mandatit të ambasadorit Rohde.
Në fund të takimit, Kurti i uroi Rohdes shëndet dhe sukses në jetën e tij të ardhshme.
Ky takim vjen vetëm dy ditë pasi BE-ja u ka kërkuar ambasadorëve që të mos zhvillojnë takime zyrtare me Kurtin deri në formimin e qeverisë së re.



