Ambasadori britanik: Kriza politike në Kosovë është më e thellë se sa duket, kërkohet kompromis politik

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka ngritur alarmin për situatën institucionale në vend, duke e cilësuar atë më serioze se sa perceptohet në opinion. Në një intervistë për Radio Gorazdevac, të publikuar të mërkurën, Hargreaves theksoi se kriza aktuale nuk është vetëm një çështje ligjore apo kushtetuese, por thelbësisht politike.
“Sipas mendimit tim, ende jemi në një fazë ku pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, në fund të fundit, kjo është një çështje që duhet të zgjidhet përmes kompromisit politik ndërmjet partive. Kjo është në thelb zemra e problemit. Kushtetuta dhe ligjet përbëjnë kuadrin, por është detyrë e partive që të bien dakord për rrugën përpara,” u shpreh ambasadori britanik.
Hargreaves foli edhe për zgjedhjet lokale që priten të mbahen në vjeshtë, duke i cilësuar ato si një mundësi për të gjitha komunitetet – veçanërisht për komunitetin serb – që të shprehin vullnetin e tyre politik dhe të kontribuojnë në integrimin institucional.
“Pjesëmarrja në zgjedhje është një hap pozitiv drejt përfshirjes së serbëve në jetën institucionale të Kosovës,” tha ai, duke i inkurajuar të gjitha palët që të marrin pjesë aktivisht në procesin zgjedhor.