Kosova
Kryesore

Ambasada e SHBA-së reagon për bllokimin e Kuvendit: Rrezikohet integriteti i institucioneve të Kosovës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar lidhur me pamundësinë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke shprehur shqetësimin për ndikimin që ky ngërç po ka në funksionimin e institucioneve dhe të ardhmen e vendit.

Në një përgjigje për Klan Kosova, një zëdhënës i Ambasadës theksoi se bllokimi i vazhdueshëm po ngadalëson përparimin e Kosovës drejt aspiratave të saj dhe po dëmton integritetin e institucioneve të ndërtuara me shumë sakrificë.

“Ky bllokim i vazhdueshëm po vonon progresin në aspiratat e ardhshme të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve për të cilat populli i Kosovës luftoi aq fortë për t’i krijuar,” thuhet në reagim.

Ambasada i ka bërë thirrje liderëve politikë që të marrin përgjegjësitë e tyre seriozisht dhe të arrijnë një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, përmes zgjedhjes së kryetarit dhe zëvendëskryetarëve.

“Udhëheqësit politikë nuk duhet të mbështeten te Gjykata Kushtetuese për ta rregulluar një bllokim politik që vetëm ata mund ta zgjidhin,” vijon më tej reagimi, duke theksuar se qytetarët e Kosovës presin që politikanët të veprojnë në interes të vendit.

Ambasada nënvizoi gjithashtu se SHBA-ja është e gatshme të punojë me Qeverinë e ardhshme të Kosovës për të avancuar stabilitetin rajonal dhe zhvillimin demokratik të vendit.

Kujtojmë se deri më tani janë mbajtur 55 seanca të pasuksesshme për ta formuar legjislaturën e re të Kuvendit. Pas përfundimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh më 27 korrik, Gjykata Kushtetuese ka ndaluar çdo veprim të deputetëve deri më 8 gusht, kur pritet të sqarohen hapat e mëtejshëm institucionalë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button