Ambasada Amerikane uron oficerët e rinj të Policisë së Kosovës: “Premtim për nder, integritet dhe shërbim publik”

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka përgëzuar oficerët e rinj të Policisë së Kosovës, të cilët u diplomuan më 11 korrik në një ceremoni të mbajtur në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe atasheu i Departamentit të Drejtësisë amerikane, i cili vlerësoi përkushtimin e 280 rekrutëve të rinj që nga sot do të shërbejnë dhe mbrojnë qytetarët e vendit.
“Betimi i një oficeri policie është një premtim nderi, integriteti, etike dhe përkushtimi ndaj shërbimit publik. Në komunitete të sigurta, prosperiteti do të lulëzojë,” thuhet në urimin e Ambasadës Amerikane.
Kjo ngjarje përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit dhe të sigurisë publike në Kosovë, me mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë.