Ambasada amerikane: Qeveria e Kosovës përgjegjëse për sigurinë dhe prosperitetin e serbëve

E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për sigurinë dhe mirëqenien e serbëve në vend, duke theksuar se presin që autoritetet kosovare t’u ofrojnë mundësi të barabarta dhe përfaqësim në jetën politike.
Gjatë një bashkëbisedimi për mediat lokale serbe, Prattipati ka shprehur shqetësim për veprimet e Qeverisë në detyrë dhe për lëvizjet që kanë rritur tensionet, veçanërisht në lidhje me trajtimin e serbëve. Ajo ka kujtuar se Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë përfaqësimin e serbëve në institucionet e vendit.
E Ngarkuara me Punë ka folur edhe për mungesën e një ambasadori amerikan që pas përfundimit të mandatit të Jeffrey Hovenier. Ajo theksoi se kjo nuk nënkupton mungesë angazhimi të SHBA-së dhe përmendi vizitën e fundit të zyrtarit të lartë Brendan Hanrahan.
Prattipati gjithashtu ka bërë thirrje që serbët e Kosovës të marrin përgjegjësi për ndërtimin e një Kosove më të qëndrueshme dhe të begatë, duke shtuar se “Kur nuk je në tryezë, të tjerët marrin vendime për ty. Pjesëmarrja siguron rolin tënd në formësimin e së ardhmes”.