Ambasada Amerikane në Prishtinë: Zgjidhja e ngërçit institucional është përgjegjësi e liderëve politikë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka ritheksuar qëndrimin e saj zyrtar lidhur me situatën politike në Kosovë, duke bërë thirrje për zgjidhjen e ngërçit institucional përmes respektimit të proceseve demokratike dhe kushtetutës së vendit.
Në një përgjigje për mediat në Kosovë, zëdhënësi i ambasadës tha se është përgjegjësi e udhëheqësve politikë të vendit që të formojnë institucione funksionale dhe stabile. “E ritheksojmë deklaratën tonë nga java e kaluar: U takon qytetarëve të Kosovës të vendosin se kush duhet t’i përfaqësojë ata. Kosova është një vend sovran, demokratik dhe i pavarur. Është përgjegjësi e lidershipit politik të formojë një Kuvend dhe një qeveri stabile në përputhje me Kushtetutën,” thuhet në deklaratë.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta në qëndrimin e tyre, duke kërkuar që vullneti i qytetarëve të respektohet dhe institucionet të funksionojnë në përputhje me ligjin dhe standardet demokratike.
Reagimi vjen në një kohë kur vendi po përballet me një bllokadë institucionale. Seanca e 12-të e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur dje, dështoi sërish në përpjekjen për të konstituar Kuvendin, për shkak të mungesës së konsensusit për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.
- Kandidatura e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje po has në kundërshtime nga disa parti parlamentare, të cilat e konsiderojnë atë si “figurë përçarëse”. Megjithatë, LVV mbetet e vendosur se Haxhiu është kandidatura e duhur për të udhëhequr Kuvendin.