Ambasada Amerikane në Prishtinë publikon alarm sigurie, u bën thirrje qytetarëve amerikanë të jenë vigjilentë në Evropë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka publikuar një alarm sigurie, përmes të cilit u bën thirrje qytetarëve amerikanë që të jenë vigjilentë gjatë sezonit të festave dhe të tregojnë kujdes të shtuar në vendet me grumbullime të mëdha njerëzish.
Në njoftimin e publikuar në Facebook, Ambasada u rekomandon qytetarëve të tregojnë vigjilencë të shtuar gjatë festave dhe ngjarjeve festive, si dhe në zonat turistike të mbipopulluara. Po ashtu, ata këshillohen të ndjekin udhëzimet e policisë dhe zyrtarëve të reagimit ndaj emergjencave.
Ambasada paralajmëron gjithashtu për mundësinë e ndërprerjeve në udhëtime dhe në jetën e përditshme në Evropë gjatë sezonit të festave. Sipas njoftimit, grevat dhe demonstratat janë shpeshtuar gjatë muajve të fundit, ndërsa në nëntor kërcënimet e rreme me bomba kanë shënjestruar aviacionin civil në disa vende evropiane, duke shkaktuar ndërprerje të fluturimeve.
Në fund, Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë që udhëtojnë jashtë vendit të përcjellin lajmet lokale për t’u informuar mbi zhvillimet që mund të ndikojnë në transport dhe në jetën e përditshme.



